Mançester Junajtid është transformuar përsëri në versionin e pandalshëm, duke treguar se në kampionat ka një marsh me tepër dhe ka lënë pas dështimin në Europa League. “Djajtë e kuq” të drejtuar nga Aleks Ferguson, kanë siguruar një sukses 5-0 në fushën e Ulvërhempton, duke mbrojtur vendin e parë në renditjen e kampionatit dhe çuar diferencën në 4 pikë nga Mançester Siti që i ndjek.
Avantazhi erdhi falë golit të Xhoni Evans në minutën e 21-të të takimit, ndërsa para përfundimit të pjesës së parë, Mançester Junajtid gjeti edhe dy herë rrugën e rrjetës me anë të Valencia e Uellbek.
Në pjesën e dytë, një dygolësh i Havier Hernandez vulosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes që 30 minuta para përfundimit të saj. Ndërkohë, në takimin tjetër të së dielës, Njukasëll ka fituar minimalisht 1-0 ndaj Noruiç, duke përforcuar pozitat në vendin e 6-të në renditjen e kampionatit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 March 2012 20:42