Arjen Roben është kthyer lojtari “vdekjeprurës” që shihej si premtimi më i madh i futbollit evropian që në fillimin e karrierës së tij dhe falë paraqitjeve e golave të shënuar këto javë me Bajern Mynih, po përjeton një rini të dytë.
Këto paraqitje të 28 vjeçarit dhe fakti se ai duket se ka lënë pas dëmtimet e njëpasnjëshme që i kanë vështirësuar karrierën, kanë ngjallur interesim të klubeve më të mëdha në Evropë, të cilat tashmë janë gati të përfitojnë nga fakti se kontrata e tij me bavarezët përfundon në vitin 2013.
Sipas mediave të ndryshme në kontinent, agjenti i tij ka filluar kontaktet me klube të ndryshme, duke parë mundësinë e një largimi nga Gjermania. Në listë për të siguruar shërbimet e tij janë të paktën tre klube anglez ku përveç dy skuadrave të Mançesterit, interesim të madh ka edhe nga Çelsi, që kërkon të riblejë futbollistin.
Lojtari që shpërtheu në arenën ndërkombëtare pikërisht falë bluve që drejtoheshin nga Zhoze Murinjo, u largua prej tyre drejt Realit të Madridit në verën e vitit 2007, pasi madrilenët e paguan 35 milionë euro. Tashmë Abramoviç po bëhet gati t’u ofrojë bavarezëve 15 milionë euro për të rimarrë një prej futbollistëve të tij të preferuar, i bindur se ai ka ende shumë vite përpara.
Përveç skuadrave angleze, në garë për shërbimet e lojtarit janë edhe PSZH dhe Juventus, me francezët dukshëm të favorizuar pasi janë në gjendje të paguajnë çdo lloj shifre për futbollistin në fjalë.
Për të evituar largimin e lojtarit, Bajerni është vënë në lëvizje dhe është gati t’i ofrojë një kontratë prej 9 milionë eurosh në vit nëse qëndron. Negociatat i ka marrë përsipër vetë presidenti i bavarezëve, Karl-Hainc Rumenige, ai që insistoi për blerjen e tij për 25 milionë euro në vitin 2009, kur shumëkush e quante një futbollist të mbaruar pas eksperiencës së dështuar në Madrid dhe dëmtimeve të njëpasnjëshme. “Arjen mund të bëjë diferencën në një skuadër, kjo është arsyeja pse unë dua që ai të qëndrojë”, ishin fjalë e Rumeniges. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 March 2012 18:46