Fitorja e thjeshtë kundër Seviljes nuk ka ndryshuar opinionin e trajnerit të Barcelonës, Pep Guardioa i cili vazhdon tw insistojë se skuadra e tij duhet të kënaqet me vendin e dytë. Sipas teknikut katalanas, Real Madrid e meriton të jetë i pari pasi ka rezultate më të mira se ekipi i tij.
“Ne do të dëshironim të konkurronim deri në fund për titullin, por unë besoj se nuk do të jetë e mundur. Ka patur një skuadër tjetër që ka qenë shumë i mirë. Të paktën skuadra është munduar të konkurrojë. Por ka një skuadër tjetër që ka marrë rezultate më të mira ndaj kemi këtë diferencë pikësh me të”, deklaroi Guardiola.
Meqenëse gazetarët insistuan ta pyesin rreth mundësive të Barcelonës për të marrë titullin, Guardiola u tregua i prerë: “Harrojeni! Nuk do ta fitojmë atë!”, ishte deklarata e tij.
Në fitoren 2-0 ndaj Seviljes, lojtari më i gëzuar ka qenë Andres Iniesta, i cili nuk shënoi, por arriti rekordin e veçantë që mban Emilio Butragenjo te Real Madrid.
Iniesta tashmë ka regjistruar 50 ndeshje pa humbje radhazi në kampionatin spanjoll me fanellën e Barcelonës, nga të cilat 42 janë fitore dhe vetëm 8 janë barazime. Ai ka mundësinë të thyejë këtë rekord në javën e ardhshme kundër Granadas në “Kamp Nou”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 March 2012 09:32