Çikago transformohet në një skuadër tjetër, sa herë që i mungon ylli i saj, Derrik Rouz. Ndonëse kryesuesit e NBA kanë fituar përballë Filadelfias me rezultatin 89-80, ata e kanë patur shumë më të vështirë detyrën, pasi përballë kishin një prej skuadrave më të balancuara të Konferencës së Lindjes. Për të zgjidhur problemet e Çikagos është dashur një ndeshje shumë e mirë e Uotson, i cili shënoi 20 pikë duke luajtur si titullar pikërisht në vend të të dëmtuarit Rouz. Ndonëse Filadelfia kryesoi në 3 periodat e para, ajo nuk arriti të mbante epërsinë deri në fund, pavarësisht formës së mirë të Xhru Holidei, i cili shënoi 30 pikë, 5 topa në tabelë e 5 pasime në humbjen e tretë radhazi të skuadrës së tij.
LA Klipërs u janë kthyer fitoreve, ndonëse u është dashur përsëri të djersijnë shumë përballë Hjuston. Kalifornianët kanë fituar 95-91 në sekondat e fundit, vetëm falë saktësisë së Kris Pol i cili u kthye përsëri vendimtar për skuadrën e tij pas disa ndeshjeve ku ai ka bërë vetëm gabime në momentet deçizive. Tani LA Klipërs i pret një javë e vështirë ku do të luajnë 5 ndeshje, mes të cilave janë 3 transferta radhazi ndaj Indiana, Oklahoma dhe Nju Orlins. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Hjuston-LA Klipërs 91-95
Toronto-Sharlot 103-107
Nju Jork-Indiana 102-88
Filadelfia-Çikago 80-89
Nju Orlins-Nju Xhersi 102-94
Golden Steit-Utah 92-99
Boston-Denver 91-98
San Antonio-Dallas 99-106
Sunday, 18 March 2012 09:02