Barcelona ka kaluar me sukses transfertën e vështirë të Seviljes duke fituar me rezultatin 2-0 ndaj vendasve dhe shkurtuar në 7 pikë diferencën me Realin kryesues që luan të dielën. Katalanasve u kanë mjaftuar dy kryevepra të lojtarëve të saj më të mirë, Ksavi e Mesi, për të marrë këtë sukses të rëndësishëm.
Ka qenë mesfushori spanjoll që ka kaluar në avantazh ekipin e tij falë një goditje dënimi përfekte që në minutën e 18-të të ndeshjes. Ky ishte goli i 8-të në këtë kampionat për Ksavin, i cili arrin të barazojë rekordin e tij personal të një sezoni.
Vetëm 7 minuta më vonë, Lionel Mesi ka dhuruar një prej magjive të tij, duke marrë topin në hyrje të zonës dhe duke e kaluar atë mes këmbëve të mbrojtësit kundërshtar. Më pas, argjentinasi ka dhuruar një tjetër prekje magjike duke e dërguar topin mbi portierin Palop për të vulosur rezultatin 2-0 të kësaj sfide.
Për t’u shënuar është se të dy skuadrat kanë hyrë në fushën e lojës me fanella që i dedikoheshin mbrojtësit të katalanasve, Erik Abidal. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Getafe-Real Sociedad 1-0
Granada-Sporting Gijon 2-1
Saragoza-Osasuna 1-1
Sevilja-Barcelona 0-2
Renditja
Real Madrid 70, Barcelona 63, Valencia 44, Malaga 40, Osasuna 39, Levante 38, Atletik Bilbao 37, Atletiko Madrid 36, Espanjol 36, Getafe 35, Rajo Vajekano 34, Sevilja 33, Real Sociedad 33, Granada 31, Majorka 30, Real Betis 30, Vijareal 27, Racing Santander 24, Sporting Gijon 24, Real Saragoza 19.
Saturday, 17 March 2012 22:19