Filip Mekses pretendon se shumë futbollistë me emër interesohen për t’u bashkuar me Paris Sent Zhërmen, përfshirë këtu edhe shokun e tij të skuadrës te Milan, Zlatan Ibrahimoviç.
Pronarët e rinj nga Katari të klubit parisien janë të vendosur të shpenzojnë shifra të rëndësishme për ta kthyer skuadrën franceze në një prej më të fuqishmeve në Evropë dhe Mekses është i bindur që ata nuk do të kenë probleme të afrojnë lojtarët më të mirë gjatë merkatos verore.
“Ka shumë futbollistë që do të ishin të interesuar për t’u bashkuar me PSZH, edhe emra të mëdhenj”, tha mbrojtësi për “Radio Monte Carlo”.
“Edhe Zlatan më ka thënë se nëse do të dëshironte ndonjë ditë të largohej nga Milan dhe do të kërkohej nga PSZH, ai do të mendohej seriozisht për këtë gjë. Edhe unë personalisht nuk do t’i thoja jo në të ardhmen”.
Klubi francez ka bërë të qartë se objektivi i këtij sezoni është të fitojë kampionatin francez dhe më pas të ndërtojë një skuadër të denjë për të tentuar fitoren e Ligës së Kampioneve. Për këtë arsye, francezët do të kërkojnë të afrojnë futbollistë cilësorë në skuadër, duke patur në dispozicion burime të pakufizuara monetare për merkaton.
Emrat më të përmendur janë “të zakonshmit”: sulmuesit Pato, Tevez e Higuain. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 March 2012 09:32