Oklahoma ka lënë pas krahëve humbjen e dy ditëve më parë përballë Hjuston në shtëpi duke fituar në transfertë përballë Denver, në një takim që mendohej të ishte më i komplikuar. Në suksesin 103-90 për kryesuesit e Konferencës së Perëndimit, vendasit kanë rezistuar vetëm 3 perioda, ndërsa më pas kanë parë se si Durant (24 pikë, 8 topa në tabelë), Uestbruk (23 pikë, 6 topa në tabelë, 5 pasime) e Harden (18 pikë) kanë siguruar arratinë për skuadrën e tyre. Për Oklahoma, sot do të jetë një sfidë më e vështirë pasi përballë do të kenë San Antonio, skuadrën që i ndjek në renditjen e Konferencës së Perëndimit.
Në ndeshjet e tjera të natës bie në sy një tjetër humbje e minutave të fundit të LA Klipërs përballë Feniks. Shenon Braun me 21 pikë ishte lojtari më i mirë për Feniks, që vendosi të linte pushim në këtë ndeshje yllin e skuadrës, Stiv Nesh. Nga ana tjetër, vetëm Bleik Grifin u shfaq në lartësinë e duhur në fazën ofensive duke regjistruar 24 pikë e 8 topa në tabelë, ndërsa Kris Pol mbeti në kuotën e 10 pikëve, por ndihmoi pjesën tjetër të ekipit me 11 pasime e 7 topa në tabelë. LA Klipërs shiheshin si pretendentë për Konferencën e Perëndimit, por tani kanë rrëshqitur shumë vende në renditje dhe rrezikojnë të komplikojë pjesëmarrjen në playoff me një short të vështirë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Uashington-Nju Orlins 99-89
Sharlot-Dallas 96-101
Minesota-Utah 105-111
Oklahoma-Denver 103-90
Feniks-LA Klipërs 91-87
Friday, 16 March 2012 09:03