Mbrojtësi i Barcelonës, Erik Abidal, do t’i nënshtrohet transplantimit të mëlçisë për shkak të një përkeqësimi të tumorit i cili e goditi vitin e kaluar.
“Gjatë javëve të ardhshme, lojtari do t’i nënshtrohet transplantimit të mëlçisë, duke parë evoluimin e procesit të dëmtimit të mëlçisë. Transplantimi ishte një opsion i cili ishte parashikuar që në fillimin e trajtimit një vit më parë. Sipas kërkesës së vetë lojtarit, klubi kërkon respekt maksimal për të drejtën e privatësisë dhe konfidencialitetit të tij”, shkruhej në deklaratën që është publikua nga klubi katalanas.
Abidal u diagnostikua me tumor gjatë vitit të kaluar dhe iu nënshtrua një operacioni në mëlçi me datë 17 mars të vitit 2011. Me 28 maj po të vitit 2011, Erik Abidal bëri një rikuperim të jashtëzakonshëm dhe luajti gjatë të gjithë ndeshjes në finalen e Ligës së Kampioneve, të fituar 3-1 nga katalanasit përballë Mançester Junajtid. Për të vlerësuar edhe riaftësimin e tij rekord, katalanasit i kaluan atij shiritin e kapitenit duke bërë që ai të ishte i pari që ngrinte drejt qiellit trofeun e Ligës së Kampioneve para 85 mijë të pranishëmve në stadiumin”Uembli”.
Këtë sezon, Abidal rinovoi kontratën e tij deri në vitin 2013 me ekipin katalanas, ndërsa luajti me këtë skuadër 25 ndeshje deri tani. Për herën e fundit në fushën e lojës ai ka zbritur me 29 shkurt, në takimin miqësor mes Gjermanisë dhe Francës, duke luajtur gjatë 90 minutave. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 March 2012 16:04