Trajneri i përfaqësueses braziliane, Mano Menezes, ka publikuar listën e madhe prej 52 emrash të futbollistëve nga të cilët do të përzgjidhen ata që do të luajnë me Kombëtaren Olimpike në Londër 2012.
Lista do të shkurtohet në 35 emra deri në datën 8 qershor, ndërsa skuadra përfundimtare me 18 futbollistë do të bëhet e ditur me 6 korrik.
Në çdo kombëtare olimpike të futbollit, lejohen 3 futbollistë mbi moshën 23 vjeçare dhe mes emrave të përzgjedhur nga Menezes figuronin Ronaldinjo, Tiago Silva, Dani Alvesh dhe David Luiz të cilët do të luftojnë për vendet në dispozicion. Ndërkohë, jashtë liste kanë mbetur dy futbollistë të cilët kishin shprehur dëshirën të merrnin pjesë në këtë aktivitet, Robinjo dhe Kaka. Të dy këto lojtarë duket se kanë humbur edhe vendin në përfaqësuesen e Brazilit, pasi nuk janë grumbulluar as në ndeshjet e fundit miqësore të kësaj kombëtareje.
Gjithsesi, talenti në fazën sulmuese nuk do t’i mungojë “seleçaos” gjatë Londër 2012, pasi në skuadër ka emra si Neimar, Ganso dhe Pato. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 March 2012 14:01