Aleks Ferguson ka treguar para gazetarëve se Dimitar Berbatov pritet t’i japë lamtumirën “djajve të kuq” në fundin e këtij sezoni. Lojtari i transferuar nga Totenehm për shifrën rekord të 30.75 milionë paund të dhëna nga Mançester Junajtid, është në fundin e kontratës së tij dhe ka bërë të qartë se dëshiron një fanellë titullari për të qëndruar.
“Në moshën 31 vjeçare, Dimitar kërkon një fanellë titullari dhe është e vështirë që unë t’ia garantoj atë. Kjo është arsyeja pse ai mund të largohet. E kam kuptuar që kjo është dëshira e tij pasi kam folur me të rreth çështjes”, tregoi Ferguson.
Megjithatë, klubi anglez kërkon të përftojë të paktën diçka nga largimi i futbollistit e për këtë arsye do të ushtrojë të drejtën e një klauzole në kontratë, që i jep mundësinë klubit ta zgjatë edhe për një vit marrëveshjen. Në këtë mënyrë, kushdo që do të kërkojë Berbatov në verë do të duhet të paguajë rreth 5 milionë paund për të siguruar shërbimet e tij dhe nuk do ta marrë me parametër zero.
Shtypi anglez ka bërë të ditur se për lojtarin interesohet ish-klubi i tij, Bajer Leverkusen, ashtu si edhe tre skuadrat spanjolle: Valenca, Malaga e Sevilja. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 March 2012 13:17