Nëse Brazili po përshtat ligjet për tregtimin e pijeve alkoolike në stadiume gjatë Kupës së Botës 2014, vendi që do të ketë problemet më të mëdha në këtë aspekt duket se është Katari. Vendi i Lindjes së Mesme, me tradita konservatore myslimane, ndalon tregtimin e alkoolit në publik dhe aktualisht ia rezervon këtë të drejtë vetëm hoteleve me 5 yje.
Por duke qenë organizatorë të Kupës së Botës në vitin 2022, ky vend duhet të marrë parasysh kërkesën e tifozëve për pije alkoolike brenda stadiumeve dhe për më tepër në ambiente publike.
Sekretar i përgjithshëm i Komiteti Organizator të “Katar 2022”, Hasan al-Thauadi, tha se alkooli do të shitej, por nuk specifikoi se ku. “Ne po mundohemi të organizojmë një Kupë Bote ku të gjithë të kënaqen dhe të përputhen me kulturën e Katarit. Alkooli do të lejohet në vendin tonë, por ne nuk shohim një arsye pse ai duhet të lejohet në stadiume”, tha ai.
Me negociata e bëra deri tani me FIFA-n, është arritur që të bihet parimisht dakord që alkooli të lejohet në zonat e tifozëve, por organizatorët insistojnë që ai të mos tregtohet në publik e për më tepër askush të mos shfaqet në stadium me një gote me pije alkoolike.
FIFA kërkon të mbrojë një prej sponsorëve të saj më të fuqishëm, prodhuesit amerikan të birrës Budweiser. Si rrjedhojë, ajo po mundohet t’i imponojë Katarit rregullin anglez të tregtisë së alkoolit në stadiume, ku të gjithë mund ta blejnë atë në ambientet e stadiumit, por nxirren direkt jashtë dhe gjobiten nëse e konsumojnë atë në shkallaret me pamje nga fusha. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 March 2012 21:02