Ekipi i Barcelonës ka kaluar një të mërkurë të mbushur me vizita. Fillimisht ka qenë trajneri i Gijon, Manuel Preciado, që ka qenë në ambientet stërvitore të katalanasve pranë Kamp Nou, e më pas edhe ish-futbollisti Edgar Davids.
Por vizita e tretë ka qenë edhe ajo më e çuditshmja pasi zyrtarë të UEFA-s kanë bërë një vizitë surprizë gjatë stërvitjes së mëngjesit për të ushtruar një kontroll anti-doping.
Tiago Alkantara, Pedro, Keita, Alvesh, Maskerano, Abidal, Valdes, Pike, Pujol dhe Kuenka janë10 futbollistët të cilëve u është bërë një analizë urine siç e kërkon ky kontroll.
Por kjo vizitë ka bërë që të fillojnë menjëherë spekulimet rreth Barcelonës dhe lojtarëve të saj të palodhur. Nëse kontrolle të këtij lloji janë shumë të rralla, Barcelona është bërë protagoniste për herë të dytë brenda të njëjtit sezon. Edhe në muajin tetor, UEFA vizitoi ambientet e klubit duke bërë analizat anti-doping të disa futbollistëve katalanas. Pikërisht kjo vijueshmëri kontrollesh anti-doping kanë shtuar zërat se katalanasit nuk janë krejtësisht të rregullt porsa i përket përdorimit të substancave të palejuara dhe ato mund të jenë arsyeja pse skuadra vazhdon të shfaqë rendiment të lartë gjatë gjithë sezonit.
Gjithçka ka ndodhur pa praninë e Pep Guardolës i cili ishte në zyrën e tij bashkë me menaxherin Josep Maria Orobitg. Sipas mediave spanjolle, ata po diskutonin rreth detajeve të kontratës së re të trajnerit katalanas, i cili pritet të bëjë shumë shpejt publik vendimin për rinovimin e tij me Barcelonën. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 March 2012 19:21