Pavarësisht deklaratave se te Çelsi nuk komandojnë “veteranët” dhe se trajneri ka gjithmonë të drejtën e vetos, të gjithë e kanë kuptuar se kush “bën ligjin” te kjo skuadër. Prova reale ka qenë konferenca për shtyp para ndeshjes së Ligës së Kampioneve mes Çelsit dhe Napolit, ku Roberto Di Mateo është ulur para gazetarëve bashkë me kapitenin e ekipit, Xhon Terri.
Di Mateo është injoruar tërësisht, si nga gazetarët të cilët i kanë drejtuar vetëm një pyetje, kundrejt 15 që i kanë bërë Territ, ashtu edhe nga vetë futbollisti. Ky i fundit, duke folur pikërisht për hegjemoninë brenda klubit, ka saktësuar se Roman Abramoviç dhe bordi drejtues merr të gjitha vendimet e rëndësishme, ndërsa në të vetmen herë kur ka folur për trajnerin, i është drejtuar këtij të fundit duke e thirrur “Robi”, si një shok i vjetër dhe jo me respektin që meriton trajneri.
“Po flisnim bashkë dhe po mendonim se nëse do të na kishin thënë 10 vite më parë se unë dhe Robi do të ishim ulur këtu para një ndeshje kaq të rëndësishme, me shumë mundësi do të kishim qeshur me zë të lartë. Por ky është realiteti tani. Nëse gjërat shkojnë mirë, kjo mund të jetë një nga netët më madhështore në historinë e Çelsit”, ishte apeli i Territ. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 March 2012 10:32