Orlando ka mundur përsëri Majemin, ndonëse këtë radhë i është dashur një kohë shtesë për suksesin 104-98. Protagonisti i natës ka qenë padyshim Duajt Hauard me një ndeshje spektakolare të kurorëzuar me 24 pikë e 25 topa në tabelë. Pjesën tjetër e ka bërë Xhamir Nelson me gjuajtjet e tij për 3 pikë që kanë vendosur ndeshjen në minutat e fundit. Dy skuadrat do të ndeshen përsëri të dielën për sfidën e tyre të katërt të këtij sezoni, me Orlando që kryeson 2-1 dhe që ka sigurinë se do të ketë në përbërjen e saj Duajt Hauard, i cili ka vendosur të mos largohet të paktën deri në fundin e sezonit. Nga ana tjetër, Majemi duhet të rimarrë veten sa më shpejt nga humbja pasi sonte ka një ndeshje tjetër të fortë, atë ndaj Çikagos.
Edhe kryesuesja e Konferencës së Perëndimit ka njohur humbje, pasi Oklahoma është mundur në shtëpinë e saj për të dytën herë në 5 ndeshjet e fundit. Ka qenë Hjuston që i ka shkaktuar këtë humbje me rezultatin 104-103, falë një loje shumë efektive në 3 minutat e fundit ku ka përmbysur një disavantazh prej 11 pikësh për të marrë këtë sukses. Durant dhe Uestbruk vazhdojnë të jenë në një periudhë me luhatje, ndërsa të dy në këtë ndeshje kanë realizuar vetëm 15 nga 36 gjuajtjet e provuara.
Një rezultat shumë i rëndësishëm i natës së mbrëmshme ka qenë fitorja e LA Leikërs në fushën e Memfis me rezultatin 116-111 pas dy kohëve shtesë. Me këtë sukses, kalifornianët blindojnë vendin e tretë në renditjen e Konferencës së Perëndimit që synohej pikërisht nga Memfis. Suksesi ka ardhur falë një paraqitje të jashtëzakonshme të Endriu Bainëm me 37 pikë e 16 topa në tabelë, i ndihmuar nga Kobi Brajant me 34 pikë, 9 topa në tabelë e 5 pasime. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Portland-Indiana 75-92
Toronto-Kliveland 96-88
Majemi-Orlando 98-104
LA Leikërs-Memfis 116-111
Hjuston-Oklahoma 104-103
Uashington-Dallas 98-107
Atlanta-Denver 117-118
G. Steit-Sakramento 115-89
Wednesday, 14 March 2012 09:02