Bajerni i fillimit të sezonit është kthyer përsëri! Një skuadër e frikshme që shkatërron lehtësisht Bazelin, shumë inferior dhe shumë i dorëzuar në krahasim me skuadrën që u pa në ndeshjen e parë. Ashtu si kundër Hofenhaimit në fundjavë, bavarezët tregohen një makinë e vërtetë golash duke shënuar përsëri 7, këtë radhë në një arenë më prestigjioze që i kthen ata në një prej pretendentëve për trofeun më të famshëm evropian.
Bajerni kërkon të marrë kontrollin e ndeshjes që në minutat e para dhe zviceranët i rezistojnë vetëm 10 minuta, aq sa i nevojitet Myler të gjejë të lirë në zonë Roben i cili nuk e ka të vështirë të dërgojë topin pas krahëve të Somer. 1-0 dhe gjithçka nis nga fillimi për dy skuadrat, pasi në ndeshje e parë ishte Bazeli që kishte fituar me këtë rezultat minimal.
Por këtë radhë bavarezët tregohen të pamëshirshëm dhe koleksionojnë aksion pas aksioni përpara zonës së zviceranëve duke kërkuar një gol që do të sillte kualifikimin. Në momentin kur Bazeli po tentonte të shihte nga sulmi për të bërë mrekullinë, Bajerni shuan ëndrrat e kësaj skuadre duke gjetur rrugën e rrjetës me Myler, i cili finalizon me një gjuajtje fluturimthi pasimin perfekt të Roben në minutën e 40-të. Vetëm 4 minuta më vonë vjen edhe goli i tretë, ku është Gomez që shkruan emrin në listën e golashënuesve.
Bavarezët janë të pangopur dhe në pjesën e dytë vazhdojnë festivalin e golave me një “solist”, Mario Gomez. Qendërsulmuesi i kombëtares gjermane gjen edhe 3 herë të tjera rrugë e rrjetës, duke shënuar në minutat 50, 61 dhe 67, përballë zviceranëve që pësojnë tronditje dhe nuk janë në gjendje të reagojnë përballë furisë së vendasve. Në minutën e 80-të ka përsëri lavdi për Roben që firmos dygolëshin personal dhe rezultatin përfundimtar 7-0 për skuadrën e tij.
Me këtë fitore, bavarezët kanë hedhur kandidaturën si një prej ekipeve pretendente për të fituar Ligën e Kampioneve, në finalen që do të zhvillohet pikërisht në stadiumin e tyre. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 March 2012 23:19