Kristiano Ronaldo është i bindur se Zhoze Murinjo do të qëndrojë te Real Madrid edhe sezonin e ardhshëm. Që në janar u raportua se trajneri portugez kishte vendosur të kthehej në Angli dhe kohët e fundit është parë në Londër duke kërkuar shtëpi.
“Jam i sigurt se Murinjo do të vazhdojë të qëndrojë me ne”, ishte deklarata që lëshoi futbollisti në konferencën e zakonshme për shtyp para sfidës me CSKA Moskën.
Më pas, ai ka treguar se kampionati italian nuk është një nga objektivat e tij në të ardhmen, ndonëse presidenti i Milan, Silvio Berluskoni, ishte shprehur se ëndërronte çdo natë ta kishte në skuadër.
“Edhe unë shoh ëndrra por jo mbi futbollin, mbi gjëra të tjera. Nëse Berluskoni thotë që më ëndërron, e respektoj, por jam shumë mirë këtu dhe dua të qëndroj te ky klub. Askush nuk e di se çfarë na sjell e ardhmja, por unë ndjehem mirë këtu. Kampionati italian nuk është ai që më pëlqen më shumë, ndonëse ka klube dhe lojtarë të mëdhenj”, tregoi ai. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 March 2012 19:18