Turneu futbollistik i fëmijëve “Gaetano Shirea” në Itali është bërë skenë e turpshme e nacionalizmit serb dhe ndotjes që politika i bën futbollit. Ekipi serb i Partizanit të Beogradit është bërë protagonist i anulimit të pjesëmarrjes se tre skuadrave të tjera ballkanase në këtë turne që është ndër më të famshmit në Evropë për fëmijët 15 vjeçarë.
Në aktivitetin e përvitshëm që zhvillohet në Matera, mes skuadrave pjesëmarrëse të konfirmuara edhe në dokumentet zyrtarë të aktivitetit, ishin edhe emrat e Zeljeznicar (Bosnje Hercegovinë), Besa e Pejës (Kosovë) dhe Renova Tetovë (Maqedoni), të cilat i bashkoheshin Partizanit të Beogradit, pjesëmarrës i rregullt i këtij turneu. Por çuditërisht, emrat e tre skuadrave të para u zhdukën nga lista e pjesëmarrësve pak ditë më parë dhe sipas gazetës “La Reppubblica”, shkak është bërë nacionalizmi i tepruar i ekipit serb që ka vënë veton.
Një nga vullnetarët përgjegjës për ekipet ballkanase pjesëmarrëse në turne, Masimo Finicio, është habitur kur ka parë mungesën e emrave të Zeljeznicar, Besa Pejë dhe Renova Tetovë në listën e re të skuadrave pjesëmarrëse. “Pas insistimeve të vazhdueshme për të patur një shpjegim, nga zyrat e Komunës së Materës ‘shpëton’ që ka një veto nga Partizani i Beogradit rreth pjesëmarrjes së skuadrave të tjera ballkanase”, ka treguar Finicio.
Me pak fjalë, Partizani i Beogradit, nëpërmjet menaxherit të futbollistëve, Vlado Borozan, ka bërë presion në mënyrë që ekipi serb të ishte i vetmi nga kjo zonë që merr pjesë në këtë turne prestigjioz.
Polemikat shtohen edhe nga një e-mail i minutave të fundit i organizatorëve të turneut, të cilët si justifikim për heqjen nga lista të këtyre, nxjerrin situatën ekonomike. Për të mbuluar “puçin serb”, ata u kërkojnë tre ekipeve të përjashtuara 12500 euro për pjesëmarrjen, duke ua bërë atë të pamundur për shkak se një shifër e tillë është e papërballueshme për një turne fëmijësh si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni e Bosnje.
Pavarësisht justifikimeve të organizatorëve, duket qartë që situata është mjaft shqetësuese, sidomos për faktin se turneu mban emrin e “Gaetano Shirea”, një prej figurave më të njohura për bamirësi në futbollin italian. Gjithçka duket edhe më e turpshme po të mendohet se në vitin 2008, ky turne i hapi dyert kombëtares U-16 të Kosovës, që u shpall skuadra surprizë e turneut, duke çuditur specialistët e futbollit italian me cilësinë e lojtarëve të saj. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 March 2012 16:10