Çikago ka marrë fitoren e 35-të në këtë sezon duke i shkaktuar humbjen e 6-të radhazi ekipit të Nju Jork në suksesin 104-99. Në një ndeshje të luftuar që nga minuta e parë në të fundit, diferencën e ka bërë i zakonshmi Derrik Rouz me 32 pikë, 6 topa në tabelë e 7 pasime, ndonëse ai thuajse gjatë gjithë takimit është mbuluar nga dy kundërshtarë. Ndërkohë, te Nju Jork vazhdojnë telashet, të cilat si për ironi të fatit kanë ardhur që me kthimin në fushë të yllit të kësaj skuadre, Karmelo Entoni. Që prej kthimit të tij nga dëmtimi, Nju Jork ka humbur 8 ndeshje në 10 të zhvilluara dhe tashmë e sheh veten edhe jashtë zonës së play-off, aty ku kishte ardhur falë magjive të Xheremi Lin.
Një skuadër e cila po kalon mjaft probleme në këtë periudhë është LA Klipërs. Kalifornianët nuk janë më në gjendje të dominojnë si në fillimin e sezonit dhe këtë e kanë treguar me humbjen 94-85 në fushën e tyre përballë Boston. Bleik Grifin ka dhuruar paraqitjen e zakonshme duke dominuar në ajër me zhytjet e tij për të regjistruar 24 pikë e 9 topa në tabelë, por nuk është ndihmuar shumë nga shokët e skuadrës, ku vetëm Pol (14 pikë) dhe Uilliams (21 pikë) kanë kaluar kuotën e 10 pikëve. Nga ana tjetër, të pesë titullarët e Boston e kanë kaluar kuotën e 10 pikëve, ndërsa kanë shfaqur një lojë mjaft të mirë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje, në një takim mjaft të nervozuar ku janë dhënë 5 falle teknikë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Miluoki-Nju Xhersi 105-99
Sharlot-Nju Orlins 73-71
Nju Jork-Çikago 99-104
Uashington-San Antonio 97-112
Detroit-Utah 90-105
Minesota-Feniks 127-124
Boston-LA Klipërs 94-85
Tuesday, 13 March 2012 09:00