Rikardo Kaka, duke folur për një prej sponsorëve të Real Madrid, “Bwin”, ka treguar se këtë vit sheh skuadrën e tij mes favoritëve për fitoren e turneut. Braziliani ka bërë të qartë se ndeshja përballë CSKA Moskës do të jetë e vështirë dhe duhet shumë kujdes në takimin e kthimit ndaj ekipit rus, por beson se ky mund të jetë vitit i Realit për të marrë kupën numër 10.
“Pretendentët? Jemi në një fazë ku kemi parë ekipe të mëdha të kualifikohen. Unë mendoj se janë Real Madrid, Milan dhe Barcelona tre skuadrat të cilat kanë mundësi të mëdha të ecin drejt finales. Por unë besoj se Reali ka mundësi shumë të mira për të bërë diçka të rëndësishme këtë vit në Ligën e Kampioneve”, tha ai.
Duke folur për ndeshjen e kthimit kundër CSKA, Kaka shpjegon se duhet patur kujdes përballë këtyre kundërshtarëve që luajnë një lojë të shpejtë. “Forca e tyre e vërtetë është grupi. Kanë lojtarë shumë të shpejtë dhe që mund të bëjnë diferencën në një ndeshje. Ata na krijuan shumë probleme në Moskë dhe duhet të jemi të kujdesshëm në ndeshjen në fushën tonë. Çelësi i ndeshjes është të hyjmë në fushë për të fituar pavarësisht rezultatit të sfidës së parë që na favorizon”, tha ai.
Në fund nuk mund të mungonte edhe një lëvdatë për trajnerin Murinjo. “Padyshim është një prej më të mirëve që kam patur. Me çdo trajner unë mësoj nga pak gjëra të mira. Me Murinjon po mësoj shumë gjëra dhe kjo është arsyeja pse them se është ndër më të mirët që më kanë stërvitur”, përfundoi Kaka. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 March 2012 21:23