Sulmuesi i Liverpulit, Luis Suarez, ka treguar se do të ishte i gatshëm të transferohej te PSZH në kampionatin francez. Uruguaiani është përmendur kohët e fundit për një transferim te kjo skuadër, e cila ka një mbështetje të fortë financiare nga sponsorët e saj, ndërsa ka pranuar se do t’i pëlqente të luante në një ekip me kapitenin e kombëtares uruguaiane, Diego Lugano.
“Po, do të më pëlqente të transferohesha në Paris, ashtu si në çdo ekip të madh”, tha Suarez për “Canal+”. Ka shumë klube të mëdha me një reputacion të tillë që duan të ndërtojnë një skuadër të fortë dhe Paris është një prej këtyre skuadrave që po rekruton lojtarë për t’u forcuar. Do të më pëlqente shumë nëse unë dhe Lugano do të luanim bashkë në një ekip”, ishin fjalët e sulmuesit të Liverpul.
Megjithatë, klubi anglez nuk duket se ka ndër mend të heqë dorë nga sulmuesi dhe këtë e ka bërë të qartë vetë trajneri i kësaj skuadre, Keni Dalglish. “Askush nuk ka folur me ne, po kjo nuk përbën ndonjë ndryshim në qëndrimin tonë. Nëse telefonojnë për lojtarin, nuk do të përgjigjemi”, ishte komenti i tij lakonik.
Ndërkohë, një tjetër bashkëkombës i Suarez, sulmuesi Edinson Kavani, ka pranuar se po diskuton me Luganon për një transferim të mundshëm në radhë e parisienëve. Sulmuesi i Napoit është vënë në vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane por duket se PSZH është i vetmi që ka para mjaftueshëm për të bindur presidentin e klubit italian për ta lënë të lirë futbollistin në merkaton e verës.
“Do të më pëlqente shumë ta përjetoja këtë eksperiencë. Unë dhe Diego Lugano kemi folur për një transferim të mundshëm”, deklaroi lojtari. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 March 2012 10:02