Nëse Milani ëndërron të mos takojë Barcelonën në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, edhe katalanasit shpresojnë për të njëjtën gjë. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes së fituar 2-0 nga skuadra e tij përballë Racing Santander, Pep Guardiola ka bërë të qartë se do të dëshironte të evitonte kuqezinjtë në këtë pikë të turneut.
“Për të shkuar në finalen e Mynihut duhet të mundësh me më të mirët, disa janë eliminuar si dy skuadrat e Mançester, por të shohim se kush do të na vihet përballë. Unë do të preferoja të mos ndeshesha tani me Milanin, pas kemi luajtur kundër tyre në këtë sezon. Më mirë të ndeshemi më vonë me ta”, ishte komenti i tij për shortin e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve që zhvillohet këtë javë.
Më pas, ai ka folur shkurtimisht edhe për ndeshjen e fituar falë dy golave të Mesit, ku i dyti ka qenë me një penallti të dyshimtë. Por Guardola mendon e ekipi i tij e meritoi fitoren.
“Nuk mund të them gjë për penalltinë pasi nuk e kam parë ende përsëritjen në televizion. Por ne dominuam ndeshjen dhe nuk besoj se penalltia ishte vendimtare në rezultatin përfundimtar të sfidës. Lojtarët e ndeshjes ishin Pedro dhe Buskets. I pari është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe do të vazhdojë të jetë i tillë për ne edhe në të ardhmen. Ndërsa Buskets ka zhvilluar një lojë të shkëlqyer para mbrojtjes”, ishte komenti i Guardiolës, i cili ka preferuar të mos shtojë më polemikën në distancë me Zhoze Murinjon duke dribluar pyetjet rreth portugezit. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 March 2012 09:35