Sfida më e shumëpritur e të dielës ka qenë padyshim vizita e Boston në fushën e LA Leikërs, sfida më klasike e NBA që ka entuziazmuar gjithmonë, pavarësisht vendit që kanë patur dy skuadrat në renditje. Edhe këtë radhë, ndeshja ka qenë e tillë, spektakolare për përplasjet mes lojtarëve dhe emocionuese për përmbysjet e njëpasnjëshme. Në fund kanë buzëqeshur LA Leikërs, të cilët kanë marrë fitoren 97-94 falë një loje të jashtëzakonshme në 4 minutat e fundit të sfidës. Kobi Brajant shënoi 26 pikë, 7 pasime e 3 topa në tabelë, por lojtari më vendimtar për kalifornianët ishte padyshim Endriu Bainëm me 20 pikë e 14 topa në tabelë.
Nuk ka patur të njëjtin fat skuadra tjetër e Los Anxhelos, LA Klipërs. Këta të fundit janë mundur në fushën e tyre përballë Golden Steit me rezultatin 97-93 dhe i kanë lëshuar vendin e parë në Divizionin e Paqësorit pikërisht kushërinjve të urryer të LA Leikërs. Skuadra e Grifin, pas një fillimi të vrullshëm të sezonit, duket se ka vështirësi të shfaqë lojën e saj dhe për këtë arsye ka pësuar disa humbje radhazi duke vënë në diskutim aftësinë për të qenë pretendent për titull në Konferencën e Perëndimit. Në ndeshjen e mbrëmshme, LA Klipërs të paktën treguan forcë reagimi pasi ishin shumë pranë një përmbysje të jashtëzakonshme, sepse kishin lënë që kundërshtarët të shkonin në 21 pikë diferencë në periodën e tretë. Por loja e mirë e Monta Ellis (21 pikë, 6 topa në tabelë, 11 pasime) bënë që Golden Steit të marrë këtë fitore të rëndësishme që i kthen ata në pretendentë për një vend në playoff. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Filadelfia-Nju Jork 106-94
Boston-LA Leikërs 94-97
Miluoki-Toronto 105-99
Hjuston-Kliveland 107-118
Indiana-Orlando 94-107
Memfis-Denver 94-91
Atlanta-Sakramento 106-99
G. Steit-LA Klipërs 97-93
Monday, 12 March 2012 08:57