Mançester Junajtid është ngjitur përsëri në kreun e renditjes së kampionatit anglez të futbollit pasi ka mundur me rezultatin 2-0 Uest Bromuiç, ndërsa Mançester Siti pësoi një humbje surprizë 1-0 përballë uellsianëve të Suonsi.
Siti kësisoj hoqi dorë nga kreu i renditjes për herë të parë që nga muaji tetor, pasi Ljuk Mur shënoi në minutat e fundit të ndeshjes, duke ndaluar një tjetër ekip elitar në Stadiumin “Liberti” të skuadrës modeste të Suonsi, surpriza e vërtetë e këtij sezoni në Angli. Zëvendësuesi Mur kishte qenë në fushë vetëm disa minuta para se t’i jepej mundësia që të kalonte portierin Hart në minutën e 83-të të sfidës, pasi ktheu në portë një harkim të bukur të Rutlexh. Vendasit mund të kishin shënuar më përpara, por Skot Sinkler humbi një 11 metërsh që në minutën e 7 të ndeshjes, ndërsa për Sitin kanë peshuar shumë gabimet para porte të Baloteli e Aguero.
Ndërkohë, Uejn Runi u bë heroi i Mançester Junajtid duke shënuar nga një gol në çdo pjesë loje për të mundur 2-0 Uest Bromuiç. Sulmuesi i përfaqësueses angleze çoi në 26 numrin e golave të shënuar në këtë sezon, ndërsa partnerët e tij të sulmit, Jang e Hernandez, nuk arritën të transformonin në gol rastet që iu shfaqën. Tani “djajtë e kuq” të Aleks Ferguson kanë një pikë avantazh përballë ekipit që drejtohet nga Roberto Mançini. (LajmeShqip.com)
Sunday, 11 March 2012 19:01