Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, do të ketë në dispozicion 25 milion paund për të bindur Borusia Dortmund që të lërë të lirë Mario Gëtze t’i bashkohet ekipit anglez gjatë verës.
Lajmi i publikuar nga “Daily Mail”, tregon gjithashtu se Arsenali shpreson që këtë radhë të bindë përfundimisht gjermanët, të cilët refuzuan një ofertë prej 20 milionë paund të anglezëve gjatë verës së kaluar.
Nëse transferimi realizohet, atëherë 19 vjeçari Gëtze do të bëhet blerja më e shtrenjtë në historinë e “topçinjve” duke thyer shifrën rekord prej 15 milion paund që ata shpenzuan për të blerë Andrei Arshavin në vitin 2009.
Blerja e tij do të ndihmonte për të bindur përfundimisht edhe Lukas Podolskin për t’iu bashkuar kësaj skuadre, pasi sulmuesi gjerman deklaroi dje se nuk ishte mbyllur asnjë marrëveshje për kalimin te Arsenali.
“Pavarësisht asaj që është shfaqur në media gjatë ditëve të fundit, asgjë nuk është vendosur. Nëse do të ketë ndonjë gjë për të deklaruar, këtë do ta bëj vetëm unë”, ishin fjalët e Podolskit pas ndeshjes të së shtunës të Këln, ku ai u ndëshkua me karton të kuq pas një zënke me Kobiashvilin. (LajmeShqip.com)
Sunday, 11 March 2012 12:38