Zhoze Murinjo, si gjithmonë kur sheh se po fiton pa probleme, ka preferuar të përdorë ironinë për të komentuar vendimet e dyshimta në favor të skuadrës së tij në ndeshjen e fituar 3-2 përballë Betis. “Isha shumë larg zonës për të thënë diçka rreth prekjeve të topit me dorë. Praktikisht nuk arrita të shoh as golin e dytë të Betis”, tha ai.
Megjithatë, ai pranoi se kundërshtari meritonte më shumë gjatë kësaj sfide. “Në disa raste është më mirë të jesh më mbrojtës dhe të kesh më shumë kontrollin e ndeshjes, por asnjë prej skuadrave nuk e kontrolloi këtë ndeshje. Rezultati 3-2 ishte i padrejtë pasi barazimi dukej rezultati më i drejtë për këtë sfidë. Sigurisht që jam më i kënaqur me 3 pikët, por ata meritonin diçka më shumë”, tha Murinjo.
Më pas ai i ka dërguar një tjetër mesazh thumbues Pep Guardiolës. “Reagimi i Guardiolës mu duk normal. Ajo që them gjithmonë është se jam i mbushur me defekte që të gjithë i njohin mirë. Nuk i fsheh as defektet, as gabimet e mia. Të tjerët janë më inteligjentë se unë. Si person joperfekt që jam, nëse e shoh diçka që nuk më pëlqen, e them. Të tjerët përdorin persona të tretë”, tha ai duke vazhduar debatin në distancë me trajnerin e katalanasve.
Si për të shtuar polemikat pas kësaj fitoreje me vendime të dyshimta të gjyqtarëve dhe faktin që të gjithë i akuzojnë ata për favorizim të Realit, Murinjo nuk ka ngurruar të falënderojë “xhaketat e zeza” për punën e mirë që kishin bërë. “Ata ishin të shkëlqyer, iu përshtatën filozofisë së lojës me dy skuadra që donin të sulmonin. Futbolli është për t’u luajtur dhe jo për t’u kthyer në vërshëllima”, deklaroi Murinjo. (LajmeShqip.com)
Sunday, 11 March 2012 09:31