Reali i Madridit vazhdon i qetë rrugën drejt titullit kampion falë fitoreve të njëpasnjëshme, por edhe falë ndihmave që i vijnë nga “xhaketat e zeza”. Në takimin e vështirë të radhës ndaj Betis, madrilenët duhet të falënderojnë gjyqtarin që nuk ndëshkoi Kaka me karton të kuq, si dhe nuk dha dy penallti në favor të ekipit vendas, ku fillimisht ishte Ksabi Alonso që preku topin me dorë në zonë kur ndeshja ishte në rezultatin 2-2, ndërsa në minutën e fundi shtesë të takimit ishte Serxho Ramos që përsëriti të njëjtin veprim pa u ndëshkuar.
Këto polemika duket se kalojnë në plan të dytë faktin se Reali po luan bukur dhe mund të triumfojë edhe pa ndihmat e gjyqtarëve. Reparti ofensiv i madrilenëve është i admirueshëm për rastet që krijon dhe për konkretizimin e tyre. Në këtë ndeshje, Higuain shënoi golin e barazimit 1-1, ndërsa fitoren 3-2 skuadrës ia dha Kristiano Ronaldo me dygolëshin e tij.
Por ndihma e gjyqtarëve shihet aty ku është edhe pika e dobët e madrilenëve, në mbrojtje. Shpesh gabimet e prapavijës mbulohen nga vendime të diskutueshme të gjyqtarëve, të cilët kanë falur disa herë radhazi ndërhyrjet e ashpra të lojtarëve të Murinjos, apo nuk kanë akorduar penallti kundër tyre, ashtu siç ndodhi ndaj Betis. (LajmeShqip.com)
Sunday, 11 March 2012 00:23