Masimiliano Alegri ka sqaruar para gazetarëve se nuk ka patur polemika me Zlatan Ibrahimoviç dhe se debatet pas ndeshjeve, sidomos pas humbjes, ishin mëse normale brenda një skuadre.
“Ibra do të fitojë gjithmonë, kërkon shumë nga vetja dhe nga gjithë të tjerët. Në dhomat e zhveshjeve ka gjithmonë përplasje opinionesh. Nuk ka ndodhur absolutisht asgjë, ngjarja është transmetuar keq dhe zmadhuar pa arsye”.
“Zëra të tillë mund të krijojnë mungesë stabiliteti, por në skuadrën tonë ka qetësi. Unë isha i pari që u mërzita pas humbjes në Londër. Duhet theksuar se lojtarët reaguan në Londër në pjesën e dytë, nuk e humbën toruan. Pjesa e parë ndaj Arsenalit është mësim për diçka që nuk duhet të përsëritet më”.
“Gabim në formacion? Është e lehtë të thuhet kështu, por unë kisha vetëm tre mesfushorë në dispozicion, nuk mund të bëja asgjë më shumë. Përdora tredhëmbëshin se mendova që mund ta mbyllnim menjëherë çështjen e kualifikimit me një gol të shpejtë. Por e konfirmoj që të tre sulmuesit bënë punën e tyre dhe u sakrifikuan për skuadrën”, deklaroi Alegri.
Më pas, trajneri i Milanit ka kthyer vëmendjen e skuadrës te kampionati, ku gjërat janë bërë më interesante pasi tashmë kuqezinjtë janë të vetëm në kreun e renditjes. Por tekniku mendon se gjithçka është vështirësuar për shkak se në garë janë shumë skuadra dhe jo vetëm Milan e Juventus.
“Kemi dy pikë diferencë nga Juventus, që po bën gjëra të jashtëzakonshme këtë sezon. Lacio është aty, Udineze nuk është larg dhe Napoli është afruar përsëri. Ka shumë skuadra në luftë për zonën e Ligës së Kampioneve. Unë jam i sigurt se nuk do ta fitojmë titullin me një fitore kundër Leçes, por as do ta humbasim nëse do të bëjmë një hap të gabuar”, tha ai duke lënë të kuptohet se lufta tashmë është ndezur dhe çdo situatë mund të përmbyset. (LajmeShqip.com)
Saturday, 10 March 2012 17:53