Një studim nga faqja financiare e internetit futebolfinance.com, ka treguar se Zhoze Murinjo kryeson i shkëputur listën e trajnerëve më të paguar në botë. Tekniku portugez, i cili ka fituar kampionate në Portugali, Angli dhe Itali, tani është gati të fitojë titullin edhe në Spanjë me skuadrën e Real Madrid, një arsye mëse e fortë që ai të përfitojë shumën marramendëse prej 10 milionë eurosh në vit.
Sipas studimit të kësaj faqe interneti që merret me statistikat financiare futbollistike, ai ndiqet në renditje nga rivali i tij te Barcelona, Pep Guardiola, si dhe holandezi Gus Hidink që firmosi me Anzhi Makhashkala në Rusi. Të dy këto trajnerë përfitojnë nga 7.5 milionë euro në sezon.
Trajneri që fiton më shumë para në kampionatin anglez është italiani Roberto Mançini, i cili ka siguruar 6 milionë euro në vit në kontratën e tij me Mançester Sitin, ndërsa një tjetër italian mban vendin e 5-të në këtë renditje. Bëhet fjalë për Karlo Ançelotin, i cili në drejtimin e Paris Sent Zhërmen përfiton 5.9 milionë euro në vit.
Jup Heinkes, Aleks Ferguson, Keni Dalglish, Arsen Venger dhe Herri Redknap plotësojnë 10 vendet e para, ndërsa bie në sy se trajneri i kombëtares që paguhet më shumë është Otmar Hitzfeld, tekniku gjerman që drejton Zvicrën.
Ky i fundit merr 2.6 milionë euro në vit, një shumë relativisht e madhe po të shihet se kjo kombëtare vazhdon të mos ketë suksese në arenën ndërkombëtare. Hitzfeld mban vendin e 19-të në këtë listë, ndërsa bashkëkombësi i tij, Joakim Lëv, që drejton Gjermaninë, është në vendin e 21-të me 2.4 milionë euro. Çuditërisht, trajneri më i suksesshëm i momentit me kombëtaret, spanjolli Visente del Boske, përfiton vetëm 2.1 milionë euro në vit, duke mbajtur vendin e 22-të në këtë renditje. (LajmeShqip.com)
Klasifikimi
1. Zhoze Murinjo (Real Madrid) – 10 mln €
2. Pep Guardiola (Barcelona) dhe Gus Hidink (Anzhi Makhashkala) – 7.5 mln. €
4. Roberto Mançini (Mançester Siti) – 6 mln. €
5. Karlo Ançeloti (Paris Sent Zhërmen) – 5.9 mln. €
6. Jup Heinkes (Bajern Mynih) – 5 mln. €
7. Sër Aleks Ferguson (Mançester Junajtid) dhe Keni Dalglish (Liverpul) – 4.8 mln. €
9. Arsen Venger (Arsenal) dhe Herri Redknapp (Totenhem) – 4.7 mln. €
11. Luís Felipe Skolari (Palmeiras), Devid Mojes (Everton), Mark Hjugs (QPR) dhe Martin O’Nill (Sandërlend) – 3.6 mln. €
15. Diego Maradona (Al-Uasl) dhe Manuel Pelegrini (Malaga) – 3.5 mln. €
17. Luçiano Spaleti (Zenit Shën Petersburg) – 3 mln. €
18. Maurisi Ramajo (Santos) dhe Otmar Hitzfeld (Zvicër) – 2.6 mln. €
20. Aleks MekLish (Aston Vila) dhe Joakim Lëv (Gjermani) – 2.4 mln. €
22. Visente del Boske (Spanjë), Abel Braga (Fluminense), Masimiliano Alegri (Milan) dhe Jurgen Klop (Borusia Dortmund) – 2.1 mln. €
26. Dorival Xhunior (Internacional) dhe Tite (Korinthians) – 1.9 mln. €
28. Klaudio Ranieri (Inter) – 1.8 mln. €
29. Mano Menezes (Brazil) -1.7 mln. €
30. Antonio Konte (Juventus) – 1.6 mln. €
Saturday, 10 March 2012 09:35