Skuadra e Novarës, e përmendur kohët e fundit për përfshirjen e lojtarëve të saj në trukimin e ndeshjeve në Itali, ka marrë masa që të ruhet nga episode të tilla në të ardhmen. Drejtuesit kanë bërë të ditur se ata kanë filluar një bashkëpunim mjaft të veçantë me kompaninë belge “Federbet Aisbl”.
Kjo kompani monitoron trafikun e basteve në pika të ndryshme në Evropë e Azi dhe tani e tutje, do të shohë me vëmendje çdo ndeshje të Novarës duke lajmëruar drejtuesit e klubit nëse ka ndonjë parregullsi.
Të dhënat do të jepen para, gjatë dhe pas çdo ndeshje, dhe në rast anomalish të fluksit të parave, do të jetë vetë Novara që do të lajmërojë autoritetet përkatëse.
“Bëhet fjalë për një mekanizëm autokontrolli, që është bërë për të ruajtur klubin në rast parregullsish, ashtu si edhe për të ndihmuar të gjithë ata që luftojnë fenomenin e trukimit të ndeshjeve”, tregoi presidenti i Novarës, Masimo De Salvo.
Kjo është hera e parë që një klub italian i nënshtrohet me dëshirë një kontrolli të plotë të ndeshjeve të tij. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 March 2012 15:24