Gafa e gjyqtarit skocez Kreig Tompson që akordoi penalltinë absurde që i dha fitoren 1-0 Tuentes ndaj Shalkes, ka acaruar drejtuesit e klubit gjerman të cilët nuk kanë ngurruar të protestojnë publikisht ndaj vendimit të gjyqtarit.
Trajneri Hub Stivens e ka komentuar shumë shkurtimisht vendimin për të akorduar penallti në favor të De Jong e për më tepër për të ndëshkuar me karton të kuq Matip, i cili do të mungojë në ndeshjen e kthimit pa patur faj.
“Ishte thjesht qesharake, jam shumë i inatosur”, ishin fjalët e Stivens, ndërsa debatin e ka vazhduar më tej shefi i klubit, Horst Heldt.
“Të gjithë e panë qartë që De Jong u ngatërrua me këmbët e veta. Kjo është e tmerrshme. Por gabimi është i trefishtë sepse aksioni ndiqej nga anësori dhe gjyqtari pas porte. Po ata çfarë po bënin? Ndoshta kanë nevojë për terapi grupi! Të paktën me këtë humbje minimale kemi një shans në ndeshjen e kthimit”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 March 2012 10:47