Trajneri i Argjentinës, Alehandro Sabella, beson se nevojitet të shpiket një epitet i ri për të përshkruar në mënyrën e duhur gjenialitetin e Lionel Mesit. Talenti argjentinas vazhdon të shkruajë historinë dhe nën vëzhgimin e trajnerit të përfaqësueses së tij në “Kamp Nou”, shënoi 5 gola përballë Bajer Leverkusen.
Për këtë arsye, Sabella pranon se atij i kanë mbaruar superlativat që përdor për lojtarin dhe ndjen se ai që tani bën pjesë te më të mirët e historisë së futbollit. “Përveçse luan në një skuadër të madhe, Mesi ka aq shumë aftësi sa atij nuk i nevojitet as t’i jepet një mundësi. Në na duhet të shpikim një epitet të ri për të”, tha Sabella për “Fox Sports”.
Trajneri mendon se Mesi nuk mund të krahasohet me askënd dhe kundërshton këdo që mendon se futbollisti duhet të fitojë Kupën e Botës që të hyjë mes legjendave. “Nuk e shoh thelbësore fitoren e Kupës së Botës nga Mesi që ai të cilësohet më i miri. Ajo që bën ai është unike, nuk mund të krahasohet me askënd tjetër. Ekzistonte epoka e Di Stefanos, epoka e Pele, epoka e Maradonës. Por tani është epoka e Mesit, ky është mbretërimi i Mesit. Unë jam i kënaqur që tashmë do të jem në gjendje të them se e kam stërvitur atë”, ishin fjalët e trajnerit të Argjentinës që përsëriti ato të thëna një ditë më parë nga trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola.
Sabella ka bërë të qartë se tashmë objektivi i tij në kombëtare do të jetë t’i krijojë kushtet maksimale “Pleshtit” që të shprehë në maksimum talentin e tij për të ndihmuar përfaqësuesen drejt trofeve.
“Duhet të sigurohemi që marrim maksimumin nga ai. Barcelona është një skuadër madhe dhe nëse do të ishin kombëtare do të ishin më e mira në botë dhe me shanse maksimale për të fituar Botërorin. Ndërsa ne, në kombëtaren tonë, duhet të sigurohemi që Mesi të furnizohet mirë me pasime, duke i krijuar mundësinë atij që të shprehë talentin. Është një detyrë e vështirë, por unë kështu e shoh punën tonë në vazhdim”, përfundoi Sabella. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 March 2012 09:35