Orlando ka lënë pas humbjen e turpshme të dy ditëve më parë në fushën e Sharlot, duke fituar një ndeshje shumë të rëndësishme në fushën e Çikagos, skuadrës që kryeson Konferencën e Lindjes. Si gjithmonë kundër skuadrave të mëdha, Orlando vuri në zbatim me sukses planin e maksimizimit të lojës së Duajt Hauard (29 pikë, 18 topa në tabelë), të kombinuar me gjuajtjet për 3 pikë. Po t’i shtosh kësaj edhe një natë negative nga Derrik Rouz, ku ai shënoi vetëm 17 pikë e 9 pasime në 6 gjuajtje të realizuara nga 22 të tentuara, atëherë rezultati përfundimtar 99-94 duket mëse i merituar për Orlandon.
Me këtë humbje, ndërpritet seria prej 8 fitoresh radhazi e Çikago që brenda 10 ditëve të ardhshme luan 6 ndeshje kundër skuadrave të forta: Utah, Nju Jork, Majemi, Portland, Filadelfia dhe përsëri Orlando. Por në ndeshjen me këta të fundit, ata mund të mos kenë më para Duajt Hauard, i cili deri të enjten që është afati i fundit mund të ketë kaluar në një destinacion tjetër, ku prioriteti mbetet LA Leikërs. Orlando ka vendosur të shtyjë vendimin për të deri në ditën e fundit, me shpresën se ai do të ndryshojë mendje dhe do të qëndrojë te kjo skuadër, e cila humb shumë nga potenciali i saj nëse lë të largohet qendrën më të mirë të NBA. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 March 2012 09:04