Disfata 3-0 me Arsenalin i ka lënë të kuptojë Milanit se nuk është i pathyeshëm dhe se në një turne si Liga e Kampioneve askush nuk të fal asgjë. Gjithsesi, administratori i kësaj skuadre, Adriano Galiani, ka bërë të qartë se humbja erdhi edhe për shkak të mungesës së lojtarëve për dëmtime dhe se polemikat brenda skuadrës nuk ekzistonin.
“Kam folur me Alegrin dhe ai është i qetë. Fjalët e Ibras? Ai ka karakteristika të veçanta, por shërbejnë si stimul. Nëse nuk do të ishte kështu, ai nuk do të ishte Ibrahimoviç”, tha Galiani.
“Tredhëmbëshi? Nuk kishim më lojtarë për të hedhur në fushë, nuk ishte Boateng e si rrjedhojë u desh të improvizohej. Nëse Konte rreshton Vidal në qendër të mbrojtjes nuk mund të thuhet se ka gabuar kur nuk ka lojtarë në dispozicion… Alegri nuk kishte më mesfushorë se përndryshe do të luante Emanuelson si organizator”, ka shpjeguar ai duke lënë të kuptohet se ishte bërë edhe “analiza teknike” e ndeshjes siç kishte paralajmëruar një ditë më parë.
Përsa i përket kualifikimit dhe shortit të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, Galiani i ka idetë e qarta mbi ata që duhen evituar. “Barcelona është e frikshme dhe shpresoj që të mos takoj një skuadër italianë në çerekfinale. Mesi? Një lojtar si ai nuk e kam parë asnjëherë, mendoj se është më i madhi i të gjitha kohërave”.
Në fund dy fjalë edhe për merkaton e verës. “Për merkaton do të flasim në verë. Tevez shënoi përsëri? Në dy vitet e fundit ka qenë golashënuesi më i mirë në kampionatin anglez dhe golat i ka bërë gjithmonë”, përfundoi Galiani. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 March 2012 20:34