Drejtuesit e Totenhemit po planifikojnë t’i bëjnë një ofertë të re Herri Redknap, për të bindur trajnerin që të refuzojë stolin e përfaqësueses angleze. Meqë Federata Angleze po ngurron që t’i bëjë një ofertë zyrtare trajnerit 65 vjeçar, drejtuesit e klubit londinez kanë përfituar nga kjo kohë për të ideuar planin e ri për të mbajtur në drejtim trajnerin.
Kontrata e këtij të fundit mbyllet në përfundim të sezonit të ardhshëm, por shefi administrtiv, Daniel Levi, po mendon t’i përmirësojë atij kontratën ekzistuese prej 3 milion paund në vit, duke e çuar atë në 4.5 milionë paund në vit për katër sezonet e ardhshme.
Në të njëjtën kohë, nuk do të lihen pas dore as ambiciet e trajnerit i cili kërkon një skuadër që të luftojë për trofe. Si rrjedhojë, gjatë verës ai do të ketë në dispozicion 50 milionë paund për të afruar yje në ekip dhe për të përmirësuar kontingjentin aktual të lojtarëve.
Dy objektivat që Redknap ndjek prej kohësh janë sulmuesi i Olimpik Marsejë, Loik Remi dhe mesfushori i Lilë, Eden Hazard. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 March 2012 19:57