Kombëtarja shqiptare e futbollit ka humbur dy vende të tjera në renditjen botërore që publikohet çdo muaj nga FIFA. Kuqezinjtë tashmë gjenden në vendin e 80-të, falë humbjes së pësuar në Gjeorgji një javë më parë, që nuk i dha mundësinë të fitonin pikë për muajin shkurt.
Falë këtij pozicioni, përfaqësuesja shqiptare ka ecur mbrapa thuajse dy vite, pasi për herë të fundit në këtë pozicion gjendej në prillin e vitit 2010. Kuqezinjtë, që në atë moment, nën drejtimin e trajneri Josip Kuzhe, filluan të ngjitnin dalëngadalë shkallët e renditjes botërore, duke arritur deri në pozicionimin rekord të prillit 2011, vendin e 50-të në botë.
Përveç renditjes botërore, shqetësimi më i madh është për renditjen brenda UEFA-s, ku përfaqësuesja kuqezi ka rënë në vendin e 37-të. Sipas kësaj tendence, kombëtarja shqiptare e futbollit rrezikon që deri në muajin maj, kur të luhen miqësoret e radhës, të përfundojë në vendin e 40-të në Evropë.
Në një situatë të tillë, duket paksa e çuditshme që FSHF vazhdon të kërkojë kundërshtarë të fortë për miqësore, duke patur parasysh se rënia në renditjen e FIFA-s pasqyrohet në rënien në vazot e poshtme të shortit për Euro 2016. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 16:23