Juventusi ka gjetur marrëveshjen për të nënshkruar me talentin e ri të Mançester Junajtid, Pol Pogba, i cili ka mbetur jashtë skuadre për shkak se nuk pranon të rinovojë kontratën me klubin anglez.
“Daily Mail” ka bërë të ditur se futbollisti ka gjetur një akord katërvjeçar me klubin italian, që do t’i sigurojë atij një rrogë bazë prej 20 mijë paund në javë.
Sipas të njëjtës gazetë, menaxheri i tij, Mino Raiola, do të sigurojë 1.7 milionë paund nga kjo marrëveshje për transferimin e lojtarit drejt klubit italian.
Lojtari i përfaqësueses U-19 të Francës ka mbetur jashtë ekipit të rezervave për ndeshjet që ky i fundit zhvillon, ndonëse udhëtonte rregullisht me ekipin e parë të Mançester Junajtid para se të fillonin problemet e rinovimit të tij.
Sër Aleks Ferguson është zemëruar me lojtarin dhe për këtë arsye, 18 vjeçari nuk do të aktivizohet në ndeshjet e ardhshme.
Meqë kontrata e tij me anglezët përfundon në këtë sezon, Mançester Junajtid do të përfitojë vetëm një shumë minimale për “kompensimin e stërvitjes” nga transferimi i lojtarit, i cili shihet nga specialistët si një nga talentet më të mëdhenj të të ardhmes. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 12:20