Masimo Morati nuk ka qenë në Itali gjatë fundjavës, por pas kthimit në Milano ka bashkëbiseduar shkurtimisht para zyrave të tij me gazetarët që i kërkonin një mendim rreth zërave të fundit që shohin Andre Vijas-Boas pranë stolit të skuadrës.
“Vijas-Boas? Janë vetëm zëra!”, u shpreh Morati rreth teknikut portugez, por pa mohuar kategorikisht një interesim për të. Më pas, ai ka folur për ndeshjen me dy fytyra të skuadrës së tij përballë Katanias.
“Ndeshjen e kam parë pjesërisht, megjithatë ishim tmerrësisht keq në pjesën e lojës ku ne po humbnim. Më pas duhet të them se ishte shumë e rëndësishme të kishim këtë reagim karakteri dhe deri në një pikë edhe në lojë. Kjo gjë mund të ketë shumë vlerë, pasi na ndihmon që të zgjohemi”.
“Kambiaso qau? Mendoj se nuk është fyer aspak për veten. I vinte sinqerisht keq për situatën në ato momente. Kambiaso ka një karakter të fortë dhe nuk ndikohet personalisht nga këto gjëra”, u shpreh ai duke iu referuar vërshëllimave të tifozëve për zëvendësimin e mesfushorit argjentinas. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 10:02