Granit Xhaka nuk do të lëvizë nga Bazeli deri në vitin 2013. Futbollisti kosovar që po përjeton një nga sezonet më të mira të karrierës së tij të re, kërkohet me ngulm nga shumë klube të njohura në Evropë, por zviceranë preferojnë që ai të kalojë një tjetër vit në radhët e tyre.
Drejtuesit e klubit janë gati t’i ofrojnë atij një përmirësim të kontratës ekzistuese, duke e bindur që të firmosë për 3 sezone të tjera, ndërsa ai do të zhvillojë vetëm një prej tyre në radhët e Bazel, pasi klubi do ta shesë në verën e vitit 2013 dhe jo këtë vit.
Futbollisti ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, mes të cilave Juventus, Borusia Dortmund dhe Hamburg, ndërsa çmimi i tij shkon deri në 15 milionë euro.
Tani pritet të mësohet se cila është zgjedhja që do të bëjë Xhaka, kontrata e të cilit përfundon pikërisht në vitin 2013, kohë kur ai mund të zgjedhë të largohet si lojtar i lirë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 March 2012 18:06