Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka komentuar me humor vizitën e tij në stadiumin “Santiago Bernabeu” për të ndjekur Real Madrid. Numri 1 i futbollit evropian, nuk ka patur një marrëdhënie të mirë me madrilenët, që pas gjysmëfinaleve të Ligës së Kapioneve në edicionin e kaluar kur Zhoze Murinjo akuzoi ashpër UEFA-n për favorizim ndaj Barcelonës.
Këtë radhë, duket se Platini është pritur mirë nga madrilenët, pasi për kamerat e emisionit “Punto Pelota”, ai nuk ka ngurruar të inskenojë me humor një dialog me Murinjon.
“Më ka pëlqyer gjithmonë z. Murinjo, e kam mbrojtur gjithmonë dhe kam menduar gjithmonë që është një trajner i madh. Dje, kur e takova, i thashë (me zë të ulur): Mos fol për gjyqtarët e UEFA-s!”, komentoi me humor Platini, i cili përsëriti mendimin se 10 pikët avantazh e vinin Realin në një pozicion të favorshëm për të fituar titullin. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 March 2012 17:04