Edinson Kavani ka hedhur poshtë të gjitha zërat për një largim të mundshëm nga skuadra e Napolit, në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane “Il Mattino”. Sipas tij, ai gjendet shumë mirë te kjo skuadër dhe as që mendon për zërat e merkatos që e shohin atë pak a shumë në të gjitha klubet më të famshme të kontinentit.
“E ardhmja ime? Më bëhet qejfi që De Laurentis ka besim te unë. Në Napoli ia kaloj mirë dhe dua t’i gëzohem çdo momenti te kjo skuadër, të jetoj ditë pas dite duke menduar për atë që bëj duke dhënë më të mirën dhe duke u munduar që të arrij sa më lart me skuadrën time. Mendoj vetëm për Napolin, jetoj me të tashmen. As nuk i dëgjoj zërat e merkatos”, ishin fjalët e futbollistit uruguaian.
Këtë sezon, Napoli po përjeton një nga kapitujt më të bukur të historisë futbollistike të kësaj skuadre falë pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve. Ndonëse shumëkush mendon se ekipi italian nuk e ka të gjatë në këtë turne, Kavani i sheh gjëra më ndryshe.
“Ëndërroj të fitoj Ligën e Kampioneve, jemi ende në garë dhe duam të vazhdojmë ecurinë tonë. Real Madrid dhe Barcelona janë skuadrat më të forta por në fushën e lojës mund të ndodhë gjithçka. Megjithatë jemi të ndërgjegjshëm që me Çelsin nuk do të jetë aspak e lehtë, duhet të përsëritim edhe një herë atë që bëmë në ndeshjen e parë”, deklaroi sulmuesi i Napolit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 March 2012 16:04