Sa herë që një lojtar cilësohet në shitje, klubi i parë që të gjithë përmendin është ai i PSZH. Për këtë arsye, shpesh drejtuesit e kësaj skuadre janë të detyruar të shpjegojnë se nuk po ndjekin disa lojtarë të veçantë.
Vetë presidenti i kësaj skuadre, Nasser Al-Khelaifi ka shpjeguar se dy emra që nuk i interesojnë parisienëve janë Higuain dhe Suarez, ndërsa ky klub dëshiron që të zbulojë talente të reja, siç bëri Barcelona me Mesin.
“Duam të ndërtojmë një skuadër që të fitojë Ligën e Kampioneve. Duam edhe një Mesi të ri, por kuptohet që do të përforcojmë skuadrën. Higuain e Suarez nuk na interesojnë”, ishin fjalët e tij për mediat, ndërsa ka shtuar se që tani kishte filluar të shihej efekti Ançeloti tek ekipi.
Pikërisht ky i fundit do të ketë në dorë përzgjedhjen e lojtarëve që duhen afruar dhe përveç emrave të “zakonshëm” si Pato e Tevez, mediat franceze kanë bërë të ditur se ai ka kërkuar blerjen e portugezit Pepe. Sipas burimeve pranë klubit, trajneri italian ka dhënë “OK” që të shpenzohen deri në 20 milionë euro për të transferuar futbollistin nga Reali i Madridit, pasi është i bindur se mund ta ndihmojë 29 vjeçarin të rregullojë edhe karakterin e tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 March 2012 15:23