Gazeta britanike “Daily Express” ka publikuar lajmin e bujshëm se Zhoze Murinjo ka patur kontaktet e para me Çelsin, ndërsa u ka dhënë drejtuesve të kësaj skuadre edhe listën e kërkesave të tij për të pranuar që të drejtojë blutë në sezonin e ardhshëm.
Trajneri portugez ka bërë të ditur se vazhdon të bëjë vizita në Angli, si ajo e javës ë kaluar, ndërsa spekulohet se në një prej këtyre vizitave, ai të jetë takuar me përfaqësues të Roman Abramoviç.
Sipas “Daily Express”, trajneri kërkon minimalisht një rrogë prej 12 milionë paund në sezon për t’u rikthyer te Çelsi, ndërsa dëshiron të ketë kontroll të plotë në politikat e klubit për transferimet. Marrëdhënia mes portugezit dhe miliarderit rus Abramoviç është përmirësua që nga viti 2007 kur Murinjon e shkarkuan nga puna, por tani trajneri ka bërë të qartë se një bashkëpunim i dytë do të zhvillohet vetëm sipas kushteve të tij.
Por kërkesa më e bujshme është ajo e blerjes së Kristiano Ronaldos nga Reali i Madridit. Madrilenët paguan 80 milionë paund për të blerë futbollistin portugez nga Mançester Junajtid, por lojtari është mërzitur që në sezonin e tretë në Spanjë. Shkas për këtë mërzitje është marrëdhënia aspak e mirë që ka më tifozët, të cilët vazhdojnë ta vërshëllejnë, ndonëse ka shënuar 96 gola në 88 ndeshje me këtë skuadër.
Për të blerë 27 vjeçarin, Çelsit do t’i duhet të shpenzojë të paktën 100 milionë paund, ndërsa për ta bindur futbollistin të kthehet në Angli nuk është e vështirë, sepse ai ka të njëjtin menaxher me Murinjon, Horge Mendes.
Murinjo i ka bërë të qartë Çelsit se duhet të arrijë një akord me të sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi ky nuk është klubi i vetëm që interesohet për të. Sipas mediave angleze, në garë për shërbimet e teknikut portugez mund të hyjnë shumë shpejt skuadra të tjera angleze si Mançester Siti e Totenhem. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 March 2012 11:52