Fitorja 2-1 ndaj Romës në derbi ka ngjallur përsëri shpresat te Lacio që ka kaluar momentin e vështirë të 3 javëve më parë dhe tashmë shpreson për një renditje më të mirë se vendi i tretë. Vetë trajneri Edi Reja, beson se skuadra e tij ka shanse reale për të luftuar për titullin kampion, ndonëse gjendet 6 pikë larg Milanit kryesues.
“Ne duhet të vazhdojmë të besojmë, pasi kemi mundësi për të luftuar për titullin. Ne duhet të vazhdojmë të ndjekim Milanin dhe të shohim nëse ata humbin ndeshje”, tha ai për “Lazio Style Radio”.
“Dua që të gjithë të njohin vlerat e kësaj skuadre, ndërsa ne duhet të hyjmë gjithmonë në fushë me idenë për të fituar”,
“Tani për tani, mund të festojmë këtë moment, por ta dini që gjithçka do të jetë më e vështirë që në javën e ardhme kur të luajmë me Bolonjën apo edhe me zbulimin e sezonit, Katanian”.
“Duhet të mendojmë si të bëjmë maksimumin, por nëse nuk fitojmë, do të thotë se kundërshtari ka qenë më i mirë se ne”, u shpreh Reja i cili pak javë më parë kërkoi dorëheqjen. Këtë sezon, nën drejtimin e tij, Lacio ka arritur të fitojë të dy ndeshjet derbi ndaj Romës, siç nuk kishte ndodhur asnjëherë në 15 sezonet e fundit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 March 2012 09:35