Kevin Lëv është aktualisht sulmuesi më në formë në NBA. Pas 42 pikëve të shënuara në fitoren kundër Portland dhe rivalit të tij të hershëm LaMarkus Alldrixh të shtunën, ylli i Minesotas ka treguar forcën e tij edhe përballë LA Klipërs dhe Bleik Grifin, duke regjistruar 39 pikë e 17 topa në tabelë në suksesin e rëndësishëm 95-94 të skuadrës së tij. Ka qenë një ndeshje mjaft e bukur por edhe fizike mes dy skuadrave, e vendosur në minutat e fundit pikërisht nga pikët e Lëv. Ky i fundit, falë bashkëpunimit me spanjollin Riki Rubio, po e kthen Minesotan përsëri në një ekip që synon pjesëmarrjen në playoff duke luftuar për vendin e 8-të në Konferencën e Perëndimit.
Kjo Konferencë po dominohet lehtësisht nga Oklahoma që vazhdon serinë e fitoreve ndaj ekipeve më të forta, ndërsa ka nënshtruar për të tretën garë në këtë sezon, kampionët në fuqi të Dallas. Uestbruk shënoi 24 pikë dhe Durant shtoi 22 të tilla në një natë ku dy yjet e Oklahomas nuk dukeshin në formë. Por ata arritën të mundnin 95-91 Dallas falë gjuajtjeve të lira, ndërsa nuk i dhanë mundësinë teksanëve të shënonin në 2 minuta e fundit të ndeshjes.
Ndërkohë, ekipi më në formë i momentit në NBA është Çikago që ka mundur me rezultatin 92-72 Indianan, për të çuar në 7 numrin e fitoreve radhazi dhe për të dominuar i vetëm Konferencën e Lindjes. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
G. Steit-Uashington 120-100
Orlando-Toronto 92-88
Utah-Kliveland 109-100
Dallas-Oklahoma 91-95
LA Klipërs-Minesota 94-95
Filadelfia-Miluoki 93-97
Indiana-Çikago 72-92
Sakramento-Denver 116-119
Nju Orlins-Portland 74-86
Tuesday, 06 March 2012 09:02