Shefi Ekzekutiv i Shoqatës së Trajnerëve të kampionatit anglez, Riçard Bevan, e ka etiketuar Çelsin një “turp” pas shkarkimit të Andre Vijas-Boas. Portugezi u largua nga londinezët të dielën dhe ky klubet duket se e ka të vështirë të gjejë një vazhdimësi në stol nën drejtimin e Abramoviç.
“Të kërkosh për trajnerin e 8-të në 9 vitet e fundit është një turp i madh për pronarin, klubin, tifozët dhe kampionatin”, tha Bevan për “Radio Five Live”.
Sipas këtij të fundit, një pjesë e problemit vjen edhe nga fakti se lojtarët e këtij klubi nuk arrijnë të krijojnë lidhje me trajnerët që janë në drejtim
“Lojtarët duhet ta dinë që strategjia e trajnerit dhe vendi i tij i punës nuk duhet të vihet në diskutim. Je i suksesshëm kur ke kohë në dispozicion dhe stabiliteti vjen nga kjo. Në të kundërt është e vështirë për një trajner si Andre të imponojë filozofinë e tij dhe të ndërtojë skuadrën”.
“Tetë muaj nuk mjaftojnë për të ndërtuar këtë lloj sukses. Klubi është ende në luftë për një vend në Ligën e Kampioneve, në garë në këtë kompeticion dhe në Kupën FA. Nëse dëshiron suksese, duhet të shohësh për plane afatgjatë”, tha Bevan.
Por ish-trajneri i kësaj skuadre, Luis Felipe Skolar, është i sigurt se kjo situatë do të vazhdojë për sa kohë që klubi ruan të njëjtën kulturë ndaj trajnerëve.
“Anglia ka klube si Arsenali ku Arsen Venger ka kohë që drejton, ndonëse nuk ka fituar trofe. Por kultura e Çelsit është e ndryshme, pasi disa gjëra dihen, si për shembull raporti miqësor i lojtarëve me presidentin, që kanë më shumë rëndësi se trajneri”.
“Vijas-Boas ishte një kampin dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Atij i duhej të largonte 7-8 lojtarë që duhej të iknin që në kohën time po nuk ia arriti. Do të jetë një ferr për këdo që do të zëvendësojë portugezin”, tha Skolari. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 March 2012 20:11