Situata të Interi është pak a shumë alarmuese pasi skuadra jo vetëm që nuk po ecën ashtu siç pritej, por po bëhet gat për ndryshimin e dytë në pankinë brenda sezonit, diçka që ishte harruar prej shumë vitesh. Sikur të mos mjaftonte kjo, publiku zikaltër tashmë kërkon një reagim të shpejtë nga klubi, gjë të cilën e ka treguar edhe në ndeshjen e fundit ndaj Katanias, të përfunduar në barazim 2-2.
“Kërkuam ku është njeriu i fortë i klubit… po asnjë përgjigje…”, ishte parulla e parë që u shfaq mes tifozëve. Pas pak minutash shfaqet një parullë e dytë: “Kërkuam qartësi… po asnjë përgjigje…”. Në fund shfaqet edhe parulla e tretë: “Përfundimet e mundshme, i dashur president, janë dy: mungesë apo paaftësi?” shkruhej në këtë parullë drejtuar Moratit duke e nxitur që të shpjegojë të ardhmen e klubit sa nuk është vonë.
Nervozizmit nuk i kanë shpëtuar as disa lojtarë të cilët deri dje cilësoheshin si të paprekshëm dhe pjesë e viteve të lavdishme ku Inter dominonte kampionatin italian dhe Evropën. Pas zëvendësimit mes vërshëllimave të tifozëve, Kambiaso është shfaqur i përlotur në stolin e rezervave. “Nuk mendoj se faji për këtë gjendje është i lojtareve të vjetër”, ishte mesazhi i qartë i kapitenit Zaneti pas përfundimit të sfidës.
Kuptohet që ekipi nuk ka një të ardhme me Ranierin dhe ky i fundit është shumë pranë largimit, aq sa klubi ka telefonuar trajnerin e të rinjve, Stramaçoni, të rrijë në gjendje gatishmërie.
Morati do të fillojë menjëherë kontaktet me përfaqësuesit e Vijas-Boas, për të mësuar gatishmërinë e portugezit për t’u transferuar të zikaltërit. Presidenti i Interit e ndiqte atë prej kohësh dhe shkarkimi i tij nga Çelsi ka ardhur si një “bekim nga qielli”. Jo rastësisht, faqet e basteve sportive i japin emërimit të Vijas-Boas të Interi koeficientin 1.9, i ndjekur nga koeficienti 5 për Blank apo 8 i Guardiolës. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 March 2012 19:42