Erjon Bogdani dhe Samir Ujkani po vazhdojnë momentin e tyre pozitiv në Serinë A duke u kthyer në lojtarë të rëndësishëm për skuadrat respektive dhe duke merituar vlerësime nga shtypi italian.
Sulmuesi shqiptar ka qenë protagonist në sfidën Siena-Kaljari të fituar 3-0 nga skuadra e tij. Er-Bomber ka arritur të shënojë golin e parë të ndeshjes në minutë e 41-të, duke konfirmuar se po kalon një formë të shkëlqyer dhe se Siena nuk ka gabuar që e ka blerë nga Çezena gjatë merkatos dimërore.
Në vetëm 4 ndeshje me Sienën (3 në kampionat, 1 në Kupë) ai ka arritur të shënojë 2 gola, duke ndihmuar këtë skuadër që të ruajë vendin e 17-të në renditje, që aktualisht do të thotë mbijetesë në Serinë A.
Ndërkohë, portieri Ujkani ka plotësuar javën e tij të heroizmave duke pritur një tjetër penallti, këtë radhë përballë ekspertit Di Vaio, në sfidën që Novara ka humbur me rezultatin minimal 1-0 ndaj Bolonjës.
Pas dy penalltive të pritura me kombëtaren ndaj Gjeorgjisë, Ujkani ka qenë përsëri i saktë në ndërhyrjen ndaj gjuajtjes nga pika e bardhë e 11-metërshit, ndërsa ka vazhduar të shfaqë siguri gjatë të gjithë takimit. Megjithatë, skuadra e tij nuk ka arritur t’i gëzohet të paktën një pikë pasi Akuafreska ka shënuar golin e fitores për Bolonjën në minutën e 82-të pasi Ujkani kishte bërë një seri pritjesh spektakolare.
Ndonëse është shpallur lojtari më i mirë në fushë për skuadrën e tij, portier shqiptar ka treguar edhe një herë modestinë që e ka kthyer në një figurë të dashur për tifozët e Novarës. “Te penalltia ishte thjesht fat, ai gjuajti në krahun që zgjodha të hidhesha unë”, tha portieri shqiptar. (LajmeShqip.com)
Sunday, 04 March 2012 21:49