Pep Guardiola është detyruar t’i shpjegojë gazetarëve se fraza e një jave më parë mbi pamundësinë e fitores së titullit, nuk kishte lidhje me gjyqtarët dhe me një favorizim të mundshëm të tyre ndaj Realit të Madridit.
“Të rikuperosh pikë nuk është e lehtë. Nuk është faji i gjyqtarëve që ne nuk jemi të parët në renditje. Arsyeja kryesore është se ne jemi mundur. Unë jam i lumtur që lojtarët e mi nuk e mendojnë si unë (që nuk mund të fitohet kampionati), por vazhdoj ta mendoj në të njëjtën mënyrë”, u shpreh ai në konferencë për shtyp para ndeshjes me Gijon.
“Unë seriozisht mendoj se kemi shanse minimale për të fituar titullin kampion. Ne kemi fituar 13 nga 16 titujt e mundshëm në sezonet e kaluara dhe sigurisht që do të vazhdojmë të konkurrojmë në çdo front. Por diferenca është shumë e madhe dhe të arrish Realin e Madridit në këtë pikë të sezonit është shumë e komplikuar”, vijoi ai.
Trajneri i Barcelonës ka vazhduar të mos japë asnjë sinjal rreth të ardhmes së tij dhe takimit që ka patur me drejtuesit katalanas. “Ne zhvillojmë rregullisht takime dhe flasim për shumë çështje të ndryshme. E përsëris që nuk ndjehem i detyruar t’i them “po” rinovimit. Do t’ju tregoj vendimin tim kur ta marr atë”, deklaroi Guardiola para mediave. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 March 2012 21:52