Hija e Zhoze Murinjos vërtitet mbi shumë prej klubeve të famshme në Angli pasi ai është trajneri më i mirë në bote. Ky është mendimi i Andre Vijas-Boas, i cili në këtë mënyrë ka shtuar spekulimet për të ardhmen e tij.
AVB ka qenë zëvendës i Murinjos kur ky i fundit ishte trajner i Çelsit, por nuk ka arritur në asnjë moment të tregohet po aq brilant te londinezët ndonëse e njeh mjaft mirë këtë klub. Fakti që të gjithë e krahasojnë me “Special One”, e ka dëmtuar më shumë ish-trajnerin e Portos, ndërsa tani janë kthyer zërat se ish-shefi i tij do të kthehet përsëri në Angli.
“I vetmi vend që nuk rrethohet nga hija e Murinjos është Barcelona”, tha Vijas-Boas pas stërvitjes së të premtes para ndeshjes me Uest Bromuiç.
“Hija e tij gjendet në çdo vend tjetër në botë, rrethon disa nga trajnerët më të mirë në botë. Gjithkush do të ishte gati të ndërronte një trajner të suksesshëm me trajnerin më të mirë në botë. Mendoj se kjo është normale për historinë që ka lënë pas ai te ky klub. Pjesa më e suksesshme e historisë së këtij klubi është e lidhur me Zhoze”, tha ai.
Më pas, ai ka bërë të qartë se vlerësimi i dhënë nga Frenk Lampard për marrëdhënien me të, nuk ndikonte zgjedhjet që bënte për skuadrën.
“Çfarë marrëdhëniesh kam me Lampard? Të mira, të shkëlqyera. Në fund të fundit janë marrëdhënie lojtar-trajner. Fjalët e Frenk janë të sinqerta dhe unë nuk kam asnjë problem rreth kësaj çështje. Mua më duhet të zgjedh skuadrën më të mirë të mundshme për çdo ndeshje. Kjo nuk ka përfshirë Frenk disa herë por nuk do të thotë se unë kam probleme me të”, ishin fjalët e Vijas-Boas. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 March 2012 18:05