Ish-portieri legjendar i Mançester Junajtid dhe Danimarkës, Peter Shmajkel, i ka bërë thirrje Herri Redknap që të mos lëvizë nga Totenhemi dhe të refuzojë një ftesë të mundshme për të marrë drejtimin e kombëtares angleze.
Danezi mendon se Totenhemi është një skuadër që pritet të shpërthejë më shumë në të ardhmen dhe ka pranuar se personalisht nuk do të largohej kurrë po të kishte bërë një punë “mahnitëse” me klubin si Redknap.
“Nëse do të isha në vendin e tij dhe do të kisha bërë aq shumë te Totenhem, do të pyesja veten: Pse duhet të largohem? Këtu nuk është arritur ende kulmi”.
“Herri është një trajner i shkëlqyer dhe e ka provuar këtë në shumë raste në klubet e vogla pa të ardhura të cilat ka arritur t’i ngrejë në nivele të larta”.
“Tani që ka pak para për të administruar te Totenhem, ai ka arritur të bëjë një punë edhe më të shkëlqyer”, tregoi Shmajkel në një intervistë të dhënë për “Rojters”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 March 2012 22:12